Edhe këtë vit, HTL- Shkodër ka marrë pjesë në konkursin më të madh dhe më të rëndësishëm të ideve në Austri – Jugend Innovativ. Aty janë paraqitur 420 projekte gjithëpërfshirëse nga gjithë Austria në kategoritë Design, Engineering, Science, Young Entrepreneurs und Sustainability. Nxënëset dhe nxënësit tanë të viteve të 3-ta, 4-ta dhe 5-ta kanë paraqitur 20 projekte të bukura, gati dyfishi i punimeve të paraqitura vitin e kaluar.
Në jemi shumë të gëzuar, që për herë të parë, kanë patur sukses vitet e 3-ta, duke arritur të kalojnë në nivelin tjetër. Nga 80 projektet e dorëzuara, që futen tek kategoria Young Entrepreneurs (Sipërmarrësit e Rinj), 2 grupe kanë mbërritur deri në TOP 10, pra në gjysmëfinale.
Shumë urime për grupin „momSupport“ me Pamela Marku, Tom Vuksani dhe Alba Pjeshka nga klasa 3B dhe skuadrës „Muji“ me Braian Plaku, Antoneta Gjeka dhe Maria Klelia Mraja nga klasa 3A.
Ju keni punuar dy trimestret e kaluara me shumë zell dhe angazhim për planet tuaja të biznesit, keni përmbushur në mënyrë shumë të saktë kërkesat e larta në fushën ekonomike, teknikës mediatike dhe gjuhësore dhe keni vërtetuar, që puna e rëndë vlen të bëhet.
Si do të vazhdojë më tej? Projektet e gjysmëfinales do t’i nënshtrohetn vlerësimit të një këshilli të mëtejshëm, i cili vendos nëse projektet kalojnë për në finalen federale. Rezultati na bëhet i njohur në fund të prillit…pra emocionet vazhdojnë!
Ju urojmë shumë fat dhe suksese!
Bekim Alibali, MA