News
12 prill 2026
Vizitë dhe shkëmbim arsimor
12 prill 2026
Vizitë dhe shkëmbim arsimor
Nga 6 deri më 12 prill 2026, nxënësit e klasave 4a dhe 4b, nga drejtimet Teknikë sistemesh, Teknike mediatike dhe Teknike rrjeti, morën pjesë në një vizitë dhe shkëmbim shkollor në Austri, konkretisht në Villach, Klagenfurt dhe Graz.
Qëllimi i kësaj vizite edukative ishte njohja nga afër me: sistemin arsimor të shkollave të mesme teknike HTL, institucionet e arsimit të lartë dhe universitetet austriake, si dhe lidhjen ndërmjet arsimit profesional, universiteteve dhe botës së punës.
Gjatë vizitës në HTL Villach dhe HTL-Klagenfurt (Mössingerstraße), nxënësit u njohën me metoda bashkëkohore të mësimdhënies praktike, organizimin inovativ të punës dhe një mjedis modern mësimor. Një element i veçantë ishte bashkëpunimi i ngushtë i shkollës me kompani të njohura teknologjike, si “Infineon”, ku nxënësit punojnë me materiale bazë dhe komponentë realë, duke ndërtuar vetë pajisje dhe laboratorë funksionalë nën udhëheqjen e mësuesve. Ky proces nxit aftësitë praktike, të menduarit kritik dhe punën në grup. Një praktikë shumë pozitive ishte edhe bashkëpunimi ndërmjet klasave, ku nxënësit e maturës përfshinin nxënës më të rinj në realizimin e detyrave më të thjeshta, si përdorimi i printerëve 3D, duke krijuar një kulturë mentorimi dhe shkëmbimi njohurish.
Vizitat në Fachhochschule Kärnten, Universitetin Teknik të Graz-it (TU Graz) dhe institucione të tjera universitare ofruan një pasqyrë të plotë mbi jetën akademike – nga leksionet dhe seminaret, te laboratorët modernë dhe infrastruktura e avancuar. Bisedat me studentë dhe pedagogë ndihmuan nxënësit të kuptonin më qartë mundësitë e studimit dhe të karrierës në fushën e teknologjisë. Një nga aspektet më mbresëlënëse në TU Graz ishin grupet e studimit dhe klubet studentore, ku studentët punojnë së bashku në projekte praktike. Një shembull i veçantë ishte ekipi që çdo vit projekton dhe ndërton një makinë të ngjashme me Formula 1, duke kombinuar teori, praktikë dhe inovacion. Programi përfshinte gjithashtu një vizitë profesionale në KELAG Netz GmbH, ku nxënësit u njohën me nënstacione elektrike, teknologjitë e rrjeteve dhe proceset e formimit profesional në sektorin energjetik.
Kjo vizitë studimore ishte një përvojë shumë e vlefshme për nxënësit, duke i ndihmuar ata të: zgjerojnë horizontin arsimor, të lidhin njohuritë teorike me praktikat reale, dhe të orientohen më qartë drejt studimeve universitare dhe karrierës së ardhshme në fushën e teknologjisë. Falënderojmë institucionet pritëse, partnerët dhe organizatorët për bashkëpunimin dhe mikpritjen.
