Të ndarë në tre grupe, ne zhvilluam ditën tonë sportive të përvitshme të mërkurën, më 14 tetor. Nxënësit e klasave 6 dhe 7 u ngjitën në një nga pikat më të njohura të Shkodrës, në Kala, dhe vizituan Kalanë e Rozafës. Atje, ata kaluan kohën duke shijuar aktivitete të ndryshme sportive, si kërcim me litar, futboll, lojra popullore etj.
Pas një udhëtimi të shkurtër me autobus për në kompleksin Zmijani, nxënësit e klasave 8 dhe 9 kaluan mëngjesin duke luajtur futboll, volejboll e lojëra të tjera. Edhe tavolinat e shahut, të vendosura në kafene, ishin një alternativë mjaft e preferuar. Ndërkohë, nxënësit e klasave 2 deri në 5 të shkollës së mesme (HTL) bënë një udhëtim në Theth, ku ecën deri te ujëvara dhe Syri i Kaltër. Disa shijuan një aventurë emocionuese me zip line, ndërsa të tjerë shijuan ushqimin pranë zjarrit.
Aktivitetet e të gjitha grupeve shkuan shumë mirë dhe të gjithë u argëtuan në motin e bukur të vjeshtës. E gjithë shkolla pret me entuziazëm idetë e mësuesve tanë të sportit, Afërdita Zaganjori, Herion Faslija dhe Nefail Zhejani për vitin e ardhshëm shkollor.
