Më shumë frymë për Shkodrën

LajmComments Off on Më shumë frymë për Shkodrën


Ditën e shtunë, datë 20. 01. 2018, në Tarabosh, u zhvillua aktiviteti “Më shumë frymë për Shkodrën” nga organizata “Eko Mendje”. E gjitha, në kuadër të nismës së ndërmarrë nga Ministria e Mjedisit “Të pastrojmë Shqipërinë tonë”. Aktiviteti kishte si synim mbjelljen e fidanëve të pishave, bredhave dhe pemëve të ndryshme jo gjetherënëse për t’i dhënë ngjyra malit të Taraboshit dhe mbi të gjitha, për më shumë frymë e oksigjen për Shkodrën. Në këtë aktivitet morën pjesë qytetarë, shkolla të ndryshme dhe “Forcat Ushtarake të Mbrojtjes” bashkë me njësitë bashkiake dhe ministrin z. Blendi Klosi. Organizata “Eko Mendje” i kishte bërë thirrje qytetarëve të Shkodrës të merrnin pjesë aktive në këtë nismë, duke dhuruar blerjen prej 150 lekë të një fidani për çdo qytetarë shkodran. Grupi i “Punës i Mjedisit dhe Sportit” i shkollës “Austriake” mendoi ta propozojë aktivitetin në drejtorinë e shkollës, e cila e mirëpriti atë. Menjëherë iniciativa iu paraqit nxënësve të cilët nuk hezituan të marrin pjesë. Veçanërisht duhet vlerësuar kontributi i nxënësve të klasave të 8b, 9b, 10b. Falë tyre, drejtorisë dhe disa mësuesve u mundësua blerja e 61 fidanëve. Gjithashtu me mbështetjen e drejtorisë u mundësua edhe krijimi i disa kartave, ku në secilën ndodhej stema e shkollës dhe emri i nxënësit që kontribuoj. Nxënësit, jo vetëm dhuruan më shumë frymë e oksigjen për Shkodrën, por dhe i mbollën vetë fidanët duke vendosur në secilin prej tyre kartën e vet. Për më shumë tregojnë dhe fotot e bëra nga prof. Maria Hönigsberger, që sigurisht përveç fotove të realizuara me mjeshtëri mbolli dhe 10 fidanët e saj. Me në krye drejtorinë falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit në aktivitet.

Tekst: Gjysepina Celi
Fotot: Maria Hönigsberger

Comments are closed.

© 2016 Österreichische Schule Shkodra “Peter Mahringer”