Ekskursioni i klasës tonë Dubrovnik, Kroaci

LajmComments Off on Ekskursioni i klasës tonë Dubrovnik, Kroaci


Një ekskursion për njohjen e kulturës së rajonit mesdhetar –kështu mund ta quajmë ekskursionin e klasës së IV A, të datës 16-18 prill 2017, në Dubrovnik të Kroacisë. Pas një udhëtimi të këndshëm në shoqërinë e muzikës, këngëve e të qeshurave mbërritëm në hotelin “Astarea Mlini”, një hotel me të vërtetë fantastik në breg të detit, ku u pritem miqësisht.
Shërbimi i mirë dhe rregullsia e ambientit na impononte që veprimet tona të ishin korrekte. Mëngjeset me një ushqim të shkëlqyer dhe darkat e bollshme, na bënë të provonim edhe ushqimet karakteristike mesdhetare.
Gjatë ditës autobusi i agjencisë “Kopliku” na shoqëroi në qendrat më të bukura turistike të Dubrovnikut. Ura “Franjo Tudman”, një vepër madhështore, që të jep shkas të mendosh si është arritur të ndërtohet një e tillë në këto përmasa, nga e cila mund të soditësh bukurinë e bregdetit të Dubrovnikut dhe kroçerat, që sjellin mijëra vizitorë në këtë zonë të mrekullueshme të Ballkanit. Në kthim, një ndalesë në Lapad, zona e populluar me hotele. Këtu të bie në sy menjëherë ajo rregullsi e ndërtimit që nuk e prish bukurinë e Rivierës. Një bregdet shkëmbor, por me plot pika pushimi, ndër të cilat na bëri përshtypje një bar restorant buzë detit, që ngjitej përmes një shpelle deri sipër në dhomat e hotelit. Një kafe nën ndriçimin e rrezeve të ngrohta diellore dhe freskia e detit të jep energji pozitive. Më tej vazhdojmë rrugën drejt Dubrovnikut, ku mendojmë të njohim qendrën me historinë e lashtë.
Një teleferik që i jepte mundësinë turistëve të qëndronin në pikën më të lartë për të soditur bukuritë e qytetit dhe gjithë bregdetit. Por jo vetëm kaq…. Krijuam një mundësi, të bëjmë një shëtitje me varkë, për të shijuar bukuritë e bregut dhe ishujve më të afërt, si: Lukrum, ku ndodhet edhe kopshti më i madh botanik. Turistët, nga vende të ndryshme të botës, kanë mbjellë këtu bimët karakteristike të sjella nga katër anët e botës dhe sot ruhet me fanatizëm dhe vizitohet nga mijëra turistë. Kthehemi në hotel ku na pret edhe një tjetër mundësi relaksimi dhe sporti. Not në pishinën e madhe të këtij hoteli. E pas kësaj: darka. Një vizitë e shkurtër në një qendër tregtare të afërt. Nata në hotel, si gjithnjë, për të rinjtë është momenti i qëndrimit së bashku me një lojë letrash, një bisedë me njëri – tjetrin, por gjithnjë të qetë e pa trazuar . Mëngjesi i ditës së kthimit përsëri na solli surpriza. Një vizitë në qytetin Cavtat, një qytezë përsëri bregdetare e bukur dhe mikpritëse. Tashmë ekskursionin tonë do ta zbukuronim edhe me një shëtitje në Rivierën e Malit të Zi, duke bërë një xhiro përreth “Boka Kotorr”, e duke shijuar bukuritë e bregdetit. Pak minuta ndalesë në Kotorr, qytet i vjetër, përsëri i stilit venecian. Si ndalesë e fundit ishte një restorant i këndshëm në Tivar (Bar), shumë afër kufirit shqiptar, ku provuam specialitete nga kuzhina tradicionale e vendit.
Pak më pas mbërritëm në Shkodër. Mund të themi me gjithë mend që ky ekskursion ishte me të vërtetë me vlera dhe i paharruar për ne.

Loreta Prela Mesuese kujdestare Klasa IV

Comments are closed.

© 2018 Österreichische Schule Shkodra “Peter Mahringer”